Quantcast
Channel: Shpresa AL
Viewing all 6956 articles
Browse latest View live

Slack aplikon për tu bërë kompani publike, raporton 10 milionë përdorues aktivë

$
0
0

Slack aplikoi ditën e sotme për tu bërë një kompani publike. Ngjashëm me Spotify vitin e kaluar, kompania nuk do të ketë një IPO tradicionale por do të lejojë aksionerët ekzistues të shesin stoqet e tyre investitorëve.

Përmes aplikimit S-1, kompania do të ofrojë aksione me vlerë 100 milionë dollarë. Gjithashtu S-1 ofron të dhëna rreth financave të kompanisë e cila raportoi humbje prej 138.9 milionë dollarësh dhe të ardhura prej 400.6 milionë dollarë për vitin e kaluar.

Një vit më parë kompania kishte 140.1 milionë dollarë humbje dhe 220.5 milionë dollarë të ardhura. Këto humbje Slack ja atribuon vendimit për të investuar në rritjen e biznesit.

Për tre muajt e parë të 2019 kompania kishte 10 milionë përdorues aktivë dhe mbi 600.000 organizata ku 88.000 janë në planin me pagesë dhe 550.000 në planin falas.

Slack mendon se vlera totale e kompanisë do të arrijë në 28 miliardë dollarë. Rritja do të vijë me ofrimin e funksioneve të avancuara për sipërmarrjet si dhe zgjerimin e aktivitetit ndërkombëtarisht.

Slack ka ngritur 1.2 miliardë dollarë financim nga investitorë si Accel, Andreessen, Horowitz, Social Capital, SoftBank, Google Ventures dhe Kleiner Perkins. Një prej shqetësimeve kryesore të kompanisë është ruajtja e një niveli rritjeje në të ardhmen. /PCWorld Albanian

The post Slack aplikon për tu bërë kompani publike, raporton 10 milionë përdorues aktivë appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

S10 – Smartfoni më i mirë i 2019-ës

$
0
0

Samsung është mbreti i telefonave Android prej vitesh dhe duket se nuk po e ngadalëson ritmin. Pas pritjes shumë të mirë që ju bë S9-ës vitin e kaluar, Samsung vendosi te nxirrte në treg një smartfon edhe më të fuqishëm për të plotësuar serinë.

Kompania është padyshim një nga më të mirat kur bëhet fjalë për cilësinë. Dizajni i metaleve  apo ekraneve që Samsung zhvillon është thjesht më i miri dhe përmirësohet vit pas viti. Galaxy S10 është modeli i fundit në një seri telefonash shumë të mirë të kompanisë, të cilët po perfeksionohen gjithmonë e më shumë gjatë rrugës.

Edhe këtë herë, gjëja që bie në sy është pamja e xhamit. Samsung ka arritur të shtojë një shtresë në ngjyrat e panelit të qelqit edhe në modelin e zi, duke ofruar një pamje vërtet unike në krahasim me telefonët e tjerë. Ajo është më e dukshme në opsionet e bardha dhe blu.

Galaxy S10 është ndërtuar me ekranin më të mirë deri më sot nga Samsung, që ështe dhe i pari ekran në botë AMOLED Dinamik. Si celulari i parë i certifikuar HDR10 +, ekrani sjell në jetë përmbajtjen digjitale dhe falë hartimit dinamik të tonit, do të shihni një gamë më të gjerë ngjyrash për një pamje të shkëlqyer dhe realiste. AMOLED-i Dinamik i Galaxy S10 është gjithashtu i certifikuar nga VDE për ngjyrat e gjalla të ndritshme dhe kontrastin e jashtëzakonshëm për ngjyra me të zeza më të thella dhe ngjyra të bardha me të shndritshme.

Për hërë të parë për Serinë S, Galaxy S10 ofron një Lente ultra-të gjërë me një kënd prej 123 gradësh fushëpamje , ashtu si syri i njeriut, në mënyrë që të mund të kapni çdo gjë që shikoni. E përkryer për fotografi mbresëlënëse të peisazheve, panorama të mëdha ,madje edhe për të kapur një portret të plotë të familjes së madhe, këto lente ultra-të gjëra sigurohen që ju të kapni tablonë e plotë.

Galaxy S10

Galaxy S10 gjithashtu ofron regjistrim super të qëndrueshëm me teknologjinë e stabilizimit digjital. Nëse jeni duke kërcyer në mes të një koncerti të mahnitshëm ose duke u përpjekur të regjistroni çdo detaj të një udhëtimi me biçikletë me në një rrugë plot gropa dhe gunga, Super Steady ju lejon të kapni momentin. Të dyja kamerat e përparme dhe të pasme mund të xhirojnë me cilësi të lartë deri në UHD dhe për herë të parë kamera e pasme ju jep fleksibilitet për të regjistruar në HDR10 +.

Galaxy S10

Tashmë, Samsung po sjell fuqinë e 5G në duart e konsumatorëve me Galaxy S10 5G, telefonin smart të parin e këtij lloji nga Samsung. Me Galaxy S10 5G, konsumatorët në një rrjet 5G mund të shkarkojnë një sezon të plotë të një shfaqjeje televizive në vetëm disa minuta, të luajnë lojëra me grafike të pasur pothuajse pa asnjë vonesë, të shijojnë eksperienca të përmirësuara të VR dhe AR dhe të qëndrojnë në kontakt me miqtë dhe familjen me anë të video-thirrjeve në kohë reale 4K. /PCWorld Albanian

The post S10 – Smartfoni më i mirë i 2019-ës appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Google përjashton zhvilluesin nga Play Store me 600 milionë shkarkime aplikacionesh

$
0
0

Google përjashtoi nga dyqani i aplikacioneve një zhvillues Kinez duke hequr dhjetëra aplikacione pasi hulumtuesit zbuluan se kishte bërë mashtrime dhe abuzuar me lejet e përdoruesit.

Zhvilluesi Kinez DO global i cili pjesërisht zotërohet nga Baidu, u zbulua se prodhonte klikime të rreme për të gjeneruar të ardhura krahas praktikave të tjera mashtruese.

Kemi përgjegjësinë për të mbrojtur përdoruesit dhe reklamuesit dhe investuar në burime dhe mjete për të luftuar mashtrimin dhe abuzimin globalisht. Ne hetojmë në mënyrë aktive sjellje të dëmshme dhe kur gjejmë shkelje veprojmë menjëherë duke i hequr zhvilluesit mundësinë për të monetizuar aplikacionet me AdMob apo të publikojë fare në Google Play,” mësohet të ketë thënë Google për The Verge.

Google nuk konfirmoi zyrtarisht dëbimin e DO Global por është konfirmuar nga raportet se bëhet fjalë për këtë kompani.

Të paktën gjashtë aplikacione u zbuluan nga hulumtuesit që përmbanin kode të dëmshme dhe që përdoreshin për të klikuar automatikisht reklamat pa dijeninë e përdoruesit. DO Global ka pasur afro 100 aplikacione në Play Store ndërsa 46 prej tyre janë fshirë sipas Buzz Feed.

Në një botë kur të ardhurat nga reklamat mund të prodhojnë fitime të mëdha, nuk është çudi që dita ditës së shohim më shumë aktorë të tjerë që angazhohen në aktivitete të tilla të dëmshme. Në Janar Google fshiu 60 lojëra nga Play Store. /PCWorld Albanian

The post Google përjashton zhvilluesin nga Play Store me 600 milionë shkarkime aplikacionesh appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

OnePlus 7 Pro përveç 5G do të ketë edhe tre kamera

$
0
0

OnePlus 7 ka tre kamera të pasme sipas një cicërime të re publikuar në rrjetin social Twitter nga vetë kompania.

Kamera e me tre sensorë do të mbetet ekskluzivitet vetëm i modelit më të shtrenjtë i cili ka edhe ekranin e shumëpërfolur me frekuencë rifreskimi prej 90Hz.

Gjithashtu imazhi i publikuar është i ngjashëm me ato që janë shpërndarë në internet. OnePlus 7 Pro do të debutojë 14 Maj në disa aktivitete që do të mbahen njëherazi në disa vende të botës.

Sa i përket kamerave tre sensorët mund të jenë: standard, telefoto dhe një kamër me kënd super të gjerë, një konfigurim i cili po bëhet standard tek të gjithë telefonët këtë vit.

https://platform.twitter.com/widgets.js

Po ekziston mundësi që njëra prej kamerave të jetë sensor thellësie, çka nuk do ta pëlqenim. Sensorët e thellësisë në telefonët Android sot po shndërrohet në shpërdorim hardueri.

Ndryshimi i sistemeve të kamerave do të jetë një rifreskim i mirëpritur duke qenë se nga OnePlus 6 në OnePlus 6T nuk ka ndryshuar gjë. Me këtë të fundit kompania aplikoi disa ndryshime softueri por ende mbetet pas krahasuar me kamerat e telefonëve të fundit në treg.

Gjithashtu OnePlus 7 dhe 7 Pro pritet të rrisin më tutje çmimin e telefonëve dikur shumë të leverdishëm. /PCWorld Albanian

The post OnePlus 7 Pro përveç 5G do të ketë edhe tre kamera appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Kryeministri Italian: Huawei dyert e hapura për 5G në Itali

$
0
0

Kryeministri Italian Xhuzepe Konte tha ditën e Premte se Huawei do të ketë rrugën e hapur për të punuar në rrjetin 5G të operatorëve të telekomunikacionit në Itali.

Deklaratën ai e dha gjatë një vizite në Kinë ku u takua edhe me shefin ekzekutiv të Huawei Ren Zhengfei. Komentet e tij u publikuan në Sky Italia.

“I thashë se kemi adoptuar disa masa për të mbrojtur interesat tona, jo vetëm nga Huawei por nga çdo kompani tjetër që hyn në fushën e 5G-së,” tha Ai.

Huawei është prodhuari më i madh në botë i pajisjeve të telekomunikacionit. Në muajt e fundit është vënë nën presionin Amerikan pasi Shtetet e Bashkuara kërkuan nga aleatët të mos përdorin teknologjisë e Huawei.

SHBA frikësohet se Huawei është një vegël e qeverisë Kineze dhe se përdoret për të përgjuar vendet Perëndimore. Huawei vazhdimisht ka mohuar këto akuza duke i quajtur të pabaza dhe pavertetuara. /PCWorld Albanian

The post Kryeministri Italian: Huawei dyert e hapura për 5G në Itali appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Microsoft sjell njoftimet e telefonëve tuaj Android në PC

$
0
0

Microsoft ka mbajtur sot një prej premtimeve më të mëdha, atë të aplikacionit Your Phone. Kompania ka dërguar një version eksperimental të Windows 10-ës i cili mund të tregojë njoftimet Android edhe në PC.

Mesazhet dhe njoftimet më të rëndësishme tashmë do të mbërrijnë në kompjuter. Përdoruesit mund të fshijnë të gjitha njoftimet njëherazi ose një nga një.

Çdo veprim i bërë në kompjuter do të reflektohet edhe në telefon. Funksioni gradualisht do të dërgohet tek insajderët e Windows me ndërtimin 1803 (RS4).

Gjithashtu duhet të keni telefon Android 7.0 Nougat ose më të ri dhe të paktën 1GB RAM. Një opsion që i mungon kësaj risie është fakti se nuk mund tu përgjigjen njoftimeve.

Nëse në të ardhmen Microsoft e mundëson diçka të tillë atëherë do të ishte vitale për aplikacione si Snapchat dhe të tjerë që nuk kanë një prezencë në desktop. /PCWorld Albanian

The post Microsoft sjell njoftimet e telefonëve tuaj Android në PC appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Google nuk do të “sabotojë” Microsoft Edge e ri

$
0
0

Microsoft së shpejti do të kalojë shfletuesin e ri Edge në motorin e Chromium që do të thotë se kodi i Chrome do të shërbejë si shfletues kryesor në Windows 10.

Me pak fjalë shërbimet e Google duhet të funksionojnë shumë mirë me versioni e ri të Edge por testuesit beta këtë javë vunë re se Google Meet, shërbimi i komunikimit për sipërmarrjet, kishte ndaluar së funksionuari.

Përdoruesit e Google Meet ishin përballur me një mesazh për të shkarkuar Chrome ose Firefox duke nxitur frikë se shërbimet e Google nuk do të funksionojnë edhe në shfletuesin e ri Edge.

Por realiteti është tjetër. “Shohim rritjen e adoptimit të Chromium dhe WebRTX si një hap pozitiv në industrinë e komunikimit të unifikuar,” shprehej Google. “Me lançimin e fundit të Edge jemi të emocionuar të ofrojmë eksperiencën më të mirë të Hangouts Meet në shfletuesin më të ri Chromium.”

Google Meet nuk është në listën e bllokimit dhe së shpejti do të jetë i disponueshëm në Edge. Versioni i fundit i Microsoft Edge tashmë ka debutuar në fazën beta dhe mund ta shkarkoni në këtë lidhje. /PCWorld Albanian

The post Google nuk do të “sabotojë” Microsoft Edge e ri appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Mozilla zëvendëson Firefox me Fenix në Android

$
0
0

Firefox në Android nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga Mozilla dhe për arsye të forta. Kompania është duke punuar në një shfletues të ri “Fenix” i cili është dizajnuar për të zëvendësuar Firefox në Android.

Si pjesë e përpjekjeve për të zhvendosur resurset drejt Fenix, do të shohim Firefox të “ngelet” pas dore. Firefox 67 dhe Firefox 68 të cilët debutojnë më 14 Maj dhe 9 Korrik respektivisht do të marrin vetëm rregullime dhe përditësime sigurie.

Firefox 68.1 do të debutoi më 3 Shtator dhe 68.2 më 22 Tetor. Duke mbajtur Firefox në versionin 68, Mozilla do të ketë mundësi të shtojë punën në drejtim të Fenix.

Kjo do të thotë se në Firefox nuk do të ketë funksione të reja derisa Fenix të kompletohet. Nuk dihet se kur do të debutojë por shfletuesi Firefox duhet të arrijë fundin e jetës vitin e ardhshëm.

Duke qenë se Fenix ka një arkitekturë tjetër uebi, do të duhet kohë përpara se shfletuesi i ri të jetë i disponueshëm për masat. Nëse doni të provoni Fenix, ndërtimet e para eksperimentale i shkarkoni në këtë lidhje. Mjafton të zgjidhni APK që i përshtatet pajisjes suaj dhe nëse jeni të paqartë atëherë shkoni për “aarch64.” /PCWorld Albanian

The post Mozilla zëvendëson Firefox me Fenix në Android appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Të Marten zbulohen fituesit e edicionit të 7-të të Albanian ICT Awards

$
0
0

Shtëpia Botuese ICTSmedia, lider në rajon në fushën e teknologjisë dhe informacionit, organizon për vitin e 7-të me radhë garën mbarëkombëtare në fushën e teknologjisë dhe informacionit Albanian ICT Awards.

Ditën e Marte datë 30 Prill 2019 përkon me aktivitetin përmbyllës të kësaj ngjarje, Mbrëmja Gala, pas një maratone 90 ditore në kërkim, indentifikim dhe shpërblim të shpirtit novator, produktiv, sipërmarrës dhe teknologjik të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë.

Në këtë aktivitet do të nderojnë me pjesëmarrjen e tyre: Kryetari i Bashkisë Tiranë z. Erion Veliaj, Ministri i Inovacionit të Kosovës z. Besim Beqaj, Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z. Valdrin Luka, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes së Shqipërisë z. Eduard Shalsi, Serkretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal(RCC) zj. Majlinda Bregu, politikanë, diplomatë, akademikë, studiues, të rinj dhe të reja të botës së teknologjisë nga mbarë trevat shqipfolëse të cilët me pjesëmarrjen e tyre po aq sa kandidatët e ICT Awards dëshmojnë karakterin mbarëkombëtar të kësaj gare.

I konsideruar gjerësisht i “Oscar-i” i teknologjisë në Shqipëri, Albanian ICT Awards vlerëson dhe shpërblen çdo vitë profesionistë, udhëheqës biznesesh, inovatorë, akademikë dhe të rinjë të cilët kanë lënë gjurmë teknologjike shqiptare me punën e tyre të palodhur në komunitetet ku jetojnë.

Të gjithë ata që janë ngjitur në skenën e Albanian ICT Awards ndër vite janë model për të gjithë të rinjtë në Shqipëri sepse ky brez shqiptar nuk ka asnjë dallim nga asnjë brez të rinjsh në çdo cep të botës, dhe kjo falë teknologjisë.

Ku dhe kur?

  • Qyteti: Tiranë
  • Vendi: MAK Hotel Tirana
  • Data: 30 Prill 2019
  • Hapja: 18:00
  • Mbyllja: 22:00

Albanian ICT Awards VII përfaqësohet nga 7 kategori vlerësimi:  ICT Inovacioni i VititICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit ICT Ylli në Ngritje,  Gruaja ne ICT,  ICT Shërbimi Publik i Vitit si dhe Siguri Kibernetike.

Përveç çmimet shpërblyes për kategoritë e lartpërmendura si çdo edicionin Mbrëmja Gala rezervon jo vetëm mirënjohje për finalistët por edhe çmime surprizë të cilat do të zbulohen gjatë aktivitetit.

Edicioni i 7-të startoi më 6 Shkurt në Tiranë dhe do të përmbyllet më 30 Prill 2019 në Mbrëmjen Gala e cila organizohet në MAK Hotel Tirana (Ish Sheraton Tirana Hotel). Janë organizuar mëse 25 takime në shkolla, universitete, qendra dhe hapësira inovacioni në kuadër të edicionit të 7-të në: Tiranë, Prishtinë, Shkup, Tetovë, Vlorë, Pejë, Prizren, Preshevë, Lezhë, Ferizaj dhe Mitrovicë.

Që nga edicioni i parë janë vlerësuar mbi 1,000 projekte në fusha të ndryshme të teknologjisë dhe vlerësuar dhe shpërblime mëse 100 prej tyre. Në këtë edicioni pranë ICTAwards.org mbërritën 110 aplikime në 7 kategori. Ato janë vlerësuar nga një panel jurie e përbërë nga profile të ndryshme të shoqërisë, përfaqësues institucionesh publike, universitete, njerëz të shkencës, biznesit, ekspertë, brenda dhe jashtë kufinjve kombëtarë.

Juria ka mbetur e befasuar nga niveli i lartë jo vetëm teknik por edhe nga niveli i inovacionit që aplikohet në jetët e përditshme demonstruar nga projektet

Me partnerët strategjik si Fondacioni “Dritan Hoxha”, banka Raiffeisen në Shqipëri, të mediave si Top Channel, TV Klan dhe kompanive private si ALBVISION e shumë partnerëve dhe sponsorëve të tjerë, ICT Awards edhe këtë vit do të shpërblejë finalistët dhe fituesit me çmime të ndryshme.

Axhenda e aktivitetit:

  • 18:00 – 19:30 Regjistrimi & Networking
  • 19:45 – Hapja e Mbrëmjes Gala
  • 20:00 – Ndarja e çmimit Ylli në Ngritje
  • 20:30 – Ndarja e çmimit Diploma e Vitit
  • 20:45 – Ndarja e çmimit Mobiliteti i Vitit
  • 21:00 – Ndarja e çmimit Gruaja në ICT
  • 21:15 – Ndarja e çmimit Inovacioni i Vitit
  • 21:30 – Ndarja e një çmimi surprizë
  • 21:45 – Ndarja e çmimit Shërbimi Publik i Vitit
  • 22:00 – Ndarja e Çmimit Cyber Security
  • 22:15 – Mbyllja / Closing, Cocktail

Rreth ICTSmedia

ICTSmedia si një shtëpi botuese dhe lider në median e ndërlidhur me Teknologjinë e Informacionit, Komunikimit dhe Sigurisë (ICTS), kësaj radhe prezanton edicionin e 6-të vjetor kombëtar të evenimentit shpërblyes “Albanian ICT Awards VII” (ose “TIK Shpërblimet Shqiptare 7”).

Faqja zyrtare: https://ictawards.org/2018/

Faqja zyrtare në Facebook: https://www.facebook.com/ictawards.org/

Rrugëtimi i ICT Awards: https://ictawards.org/2018/news/

The post Të Marten zbulohen fituesit e edicionit të 7-të të Albanian ICT Awards appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Eliminoni gjysmën e rezultateve të kërkimit të Google me dorezën Infinity të Thanos

$
0
0

Nëse po kërkoni përmbajtje dhe informacion rreth filmit “Avengers: Endgame” derisa të keni mundësinë për të parë filmin Google ka përgatitur një surprizë të veçantë.

Mjafton të hyni në motorin e kërkimit Google.com dhe të kërkoni për emrin e antagonistit të filmit Avengers, “Thanos” dhe të klikoni dorezën “Infinity” në të djathtë të ekrani dhe do të shikoni sesi rezultatet e kërkimit kthehen në pluhur ashtu siç kthehen figurat në film në momentin kur Thanos kërcet gishtat e tij.

Doreza e Google është e pajisur me gjashtë gurët Infinity dhe kur klikoni me të, gishtat kërciten.

Kur ndodh kjo në vend që të eliminohet gjysma e universit, eliminohet gjysma e rezultateve të kërkimit duke balancuar me sukses internetin.

Sigurohuni që zëri i kompjuterit të jetë aktiv. Kjo surprizë është shtuar ditën e debutimit të filmit në teatrot në mbarë botën. Natyrisht ekziston një mënyrën për të kthyer pas çdo gjë të fshirë. Klikoni përsëri mbi dorezën dhe guri Infinity i kohës do të rikthejë rezultatet e kërkimit. /PCWorld Albanian

The post Eliminoni gjysmën e rezultateve të kërkimit të Google me dorezën Infinity të Thanos appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Avengers: Endgame thyen të gjitha rekordet me shitje 1.2 miliardë dollarë

$
0
0

Avengers: Endgame theu rekordin e ditës së parë me 350 milionë dollarë bileta të shitura në SHBA dhe 1.2 miliardë dollarë në total bileta në mbarë botën duke arritur një rekord të paparë në industri.

Finalja e “Avengers” tejkaloi pritshmëritë. Ishte parashikuar që në SHBA të kishte mes 260 milionë deri në 350 milionë dollarë në ditët e parë nga të ardhura por theu rekordin e vendosur vitin e kaluar nga “Avengers: Infinity War” me 257.7 milionë dollarë dhe atë të “Star Wars: The Force Awakens” me 248 milionë dollarë.

Në pjesën tjetër të botës gjeneroi 640.5 milionë dollarë. Në ditën e parë të debutimit filmi u shfaq në 4,662 teatro në SHBA dhe Kanada.

Disa teatro kanë qëndruar për 72 orë me radhë të hapura. Ajo që ishte në disavantazhin e filmit ishte gjatësia prej 3 orësh. Të paktën 30 milionë Amerikanë dhe 100 milionë të tjerë në mbarë botën kanë parë filmin në javën e parë. /PCWorld Albanian

The post Avengers: Endgame thyen të gjitha rekordet me shitje 1.2 miliardë dollarë appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Spotify ka 100 milionë përdorues me pagesë

$
0
0

Spotify ka 100 milionë përdorues me pagesë bëri të ditur kompania në statistikat më të fundit financiare. Në total shërbimi ka 217 milionë përdorues kur 117 milionë prej tyre janë abonentë në shërbimin pa pagesë.

Mbështetje mendohet ti ketë dhënë debutimi në Indi në fund të muajit Shkurt ku Spotify grumbulloi 1 milionë përdorues në një javë dhe dyfishoi shifrën brenda katër javësh.

Edhe pse numri i përdoruesve vijon në rritje, Spotify nuk po e shndërron këtë sukses në fitim duke humbur 142 milionë euro në tre mujorin e parë. Figura duket shumë e keqe nëse e krahasojmë me fitimin prej 442 milionë euro në Dhjetor të vitit të kaluar.

Por është më mirë sesa 169 milionë eurot e humbura në fillim të vitit të kaluar. Spotify fajëson punonjësit sepse me rritjen e çmimit të aksioneve janë rritur edhe bonuset.

Ende kompania beson se nuk është e gatshme për fitime të çmendura megjithatë pushteti do ti rritet në tregun global të muzikës. Spotify është në një betejë të egër me Apple Music dhe së fundit ka nisur edhe një betejë ligjore në Komisionin Evropian. /PCWorld Albanian

The post Spotify ka 100 milionë përdorues me pagesë appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Një zbulimi i ri hap rrugën drejt internetit wireless super të shpejtë

$
0
0

Hulumtuesit pranë Shkollës së Inxhinierisë dhe Shkencave të Aplikuara në Universitetit të Harvardit, kanë zhvilluar një metodë për të transmetuar valë radio përmes një semikonduktori prej lazeri.

Zbulimi i publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences përbën një avancim të madh në lazerët konvencionalë të cilët aktualisht mund të emëtonin dritëve në vetëm një frekuencë.

Me gjetjet e reja është e mundur që lazerët të përdoren për të emetuar mikrovalë, për ti moduluar dhe pranuar sinjale të jashtme radio. Si rezultat hapet një mundësi e re për Wi-Fi të shpejtësisë shumë të lartë.

Lajmi vjen pak kohë pas një tjetër zbulimi të laboratorit i cili arriti të përdorte rreze infra të kuqe për të gjeneruar valë në gjatësi terahertz të afta për të transportuar të dhëna dhe në shpejtësi qindra herë më të lartë sesa pajisjet Wi-Fi të ditëve të sotme.

Një antenë e ngjashme me veshin e një lepuri mund të marrë informacionin e transmetuar nga lazeri dhe ta dëshifrojë atë. Prej mëse një dekade Harvardi ka eksperimentuar me lazerëz terahertz. Megjithatë përdorimi i tyre në jetën e përditshme është ende vite larg.

Megjithatë është një zbulim se lazerët mund të përdoren si opsion për të transferuar të dhëna dhe Facebook e Google kanë eksperimentuar me ofrimin e internetit të shpejtësisë së lartë në rajone të vështira përmes lazerëve. /PCWorld Albanian

The post Një zbulimi i ri hap rrugën drejt internetit wireless super të shpejtë appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Samsung patenton një teknologji të pazakontë ekrani

$
0
0

Në mesin e një paqartësie që rrethon telefonin me ekran me palosje të Samsung, kompania fitoi ditën e sotme aprovimin e një patente e cila përshkruan një ekran krejtësisht tjetër.

Në përshkrimin e patentës përdoret emërtimit “ekrani me shumë fytyra”. Samsung kishte aplikuar për këtë patentë në 2016-ën por është aprovuar nga Zyra Botërore e Pronësisë Intelektuale vetëm më 25 Prill.

Ekrani i ri vjen përqark telefonit e madje mbulon edhe skajin e sipërm. Një imazh tregon mesazhet që shfaqen në skajin e sipërm të telefonit.

Patenta tregon dy shembuj sesi ekrani është implementuar. Në të parën është realizimi i një fotoje ku edhe personi të cilit po bëhet foto me kamerën e pasme mund të shohë realizimin e saj në ekranin që shtrihet në pjesën e pasme të telefonit.

Një tjetër mënyrë përdorimi është për përkthimin. Samsung tregon sesi dikush mund ti flasë mikrofonit të telefonit dhe fjalët e tyre përkthehet në pjesën e pasme të tij.

Disa telefonë sot kanë ekrane të pasme. Konkretisht kemi Vivo NEX Dual Display. Megjithatë telefoni është larg përditshmërisë tonë dhe ekranet e pasme dhe ato frontale nuk janë të lidhura bashkë.

Aprovimi i patentës vjen në të njëjtin muaj që reputacioni i Samsung ka marrë një goditje me telefonin me ekran që paloset Galaxy Fold. Disa prej analistëve që Samsung kishte ofruar telefonin për testim kishin raportuar thyer të ekraneve vetëm pas dy ditësh përdorim. /PCWorld Albanian

The post Samsung patenton një teknologji të pazakontë ekrani appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Apple akuzohet për praktika anti-kompetitive në App Store

$
0
0

Apple tha ditën e Diele se kishte hequr disa aplikacione të kontrollit prindëror nga App Store sepse vendosnin në rrezik privatësinë dhe sigurinë e përdoruesve.

Aplikacionet e hequra sipas Apple abuzonin me teknologjinë “Mobile Device Management” i cili i jep akses një zhvilluesi për vendndodhjen e përdoruesit, historikun e shfletimit, fotove dhe videove të realizuara.

Deklaratën kompania e lëshoi në përgjigje të akuzave të Nju Jork Times për praktika anti-kompetitive nga gjiganti i iPhone.

Përgjigja është një tjetër shembull i kontrollit të lartë të Apple mbi App Store megjithatë vjen në një kohë kur politikanë dhe rivalë po e akuzojnë kompaninë se përdor fuqinë për të favorizuar aplikacionet e kompanisë.

Apple tha se është shumë e rrezikshme dhe shkelje e hapur e politikave të App Store që një aplikacion të instalojë kontroll MDM mbi pajisjen e konsumatorëve.

Shumica e aplikacioneve të përmendura në raportin e Times si OurPact, Freedom, Kidslox dhe Qustodio përdoreshin për kontroll prindëror të fëmijëve dhe kohës që shpenzonin në pajisjet elektronike.

Apple thotë se aplikacionet duhet të përdorin API dhe strukturat e duhura. Përdorimi i MDM për të gjurmuar dhe kufizuar aktivitetin në telefon nuk është në të vërtetë qëllimi i MDM.

Në 2018-ën kompania lançoi një softuer quajtur Screen Time i cili gjurmon përdoruesit dhe aktivitetin me aplikacionet dhe vjen i instaluar në iPhone. Pak javë pas debutimit të Screen Time, 11 nga 17 aplikacionet më të shkarkuara të kësaj kategorie janë fshirë dhe kufizuar sipas Times.

Këto praktika anti-kompetitive edhe Spotify i ka ankimuar pranë Komisionit Evropian. /PCWorld Albanian

The post Apple akuzohet për praktika anti-kompetitive në App Store appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Samsung mendon se njerëzit pëlqejnë televizorët vertikalë

$
0
0

Modeli më i ri i linjës së televizorëve Samsung quhet Sero, një televizor 43-inç i cili është dizajnuar të qëndruar jo vetëm horizontalisht por edhe vertikalisht.

Duke pasur në konsideratë se shumica e përmbajtjeve mobile janë vertikale, Samsung thotë se Sero është dizajnuar për të inkurajuar njerëzit të projekton gjërat që shohin në smartfonë edhe në televizorin e ri vertikal.

Ai ka kanale audio 4.1 me altoparlantë 60W së bashku me një dizajn të pasmë minimalist. Samsung do të shesë Sero për 1,600 dollarë në shtëpinë e kompanisë, në Korenë e Jugut. Ai vjen me asistentin virtual Bixby.

Përdoruesit do të mund të shohim Instagramin dhe Snapchatin e tyre në televizorin Quantum-dot QLED në pozicionin vertikal. Ai i përket të njëjtës linjë Serif dhe Frame të televizorëve QLED.

Samsung nuk hyri në detaje të specifikave por me shumë gjasa vjen me rezolucion 4K Ultra HD. Samsung gjithashtu tha se modelet Serif dhe Frame do të vinë në madhësitë 49-inç dhe 55-inç dhe së shpejti edhe një model 65-inç. /PCWorld Albanian

The post Samsung mendon se njerëzit pëlqejnë televizorët vertikalë appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Huawei dëmton marrëdhëniet mes Britanisë dhe SHBA

$
0
0

Kryeministres britanike Theresa May po i kërkohet nga vetë partia e saj dhe nga zyrtarët e lartë të shërbimeve të zbulimit të anullojë vendimin për t’i lejuar përkohësisht kompanisë kineze të teknologjisë, Huawei, të bëhet pjesë e procesit të ndërtimit të rrjetit britanik të komunikimeve celulare 5G.

Ata mendojnë se dhënia e një roli, qoftë edhe i kufizuar, kompanisë Huawei në ngritjen e rrjetit 5G do të vinte në rrezik pjesëmarrjen e Britanisë në grupin e vendeve të mbiquajtur “Pesë Sytë” që mundëson shkëmbimin e të dhënave të zbulimit mes pesë vendeve anglishtfolëse: Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Britania.

Lobimi për anulimin e vendimit të Kryeministres May pritet të intensifikohet pas publikimit këtë javë të një raporti me bashkëautorë një ligjvënës konservator dhe një ish-këshilltar të sigurisë, të cilët arrijnë në përfundimin se megjithë mohimet nga Pekini, kompania Huawei është në pronësi të një entiteti që i raporton “aparatit parti-shtet të Kinës”.

Raporti i publikuar nga organizata “Shoqëria Henry Jackson”, me seli në Londër, thotë se duke i lejuar kompanisë kineze qasjen në rrjetin e gjeneratës së ardhshme të komunikimeve celulare, do të kompromentonte sigurinë. Sipas raportit, 99% e kompanisë Huawei zotërohet nga Komiteti për Investimet dhe Aksionet Tregtare, pjesë e Federatës së Sindikatave Kineze, që është një entitet shtetëror.

Nënpresidenti amerikan Mike Pence dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u kanë bërë thirrje vendeve aleate perëndimore ta shmangin kompaninë Huawei për shkak të shqetësimeve të sigurisë, në veçanti pasi gjigandi kinez i telekomunikacionit mund të shërbejë si kali i Trojës për agjensitë kineze të spiunazhit, duke u mundësuar atyre të mbledhin komunikime dhe të dhëna zbulimi.

Në shkurt, Sekretari Pompeo paralajmëroi se “nëse një vend e pranon dhe e përfshin në sistemet më të rëndësishme të informacionit, ne nuk do të mundemi më të ndajmë të dhëna dhe nuk do të punojmë dot më së bashku”. Uashingtoni ka dërguar një zyrtar të Departamentit të Shtetit për të informuar sot ministrat e kabinetit britanik në mënyrë më të hollësishme rreth shqetësimeve amerikane për sigurinë.

Javën e kaluar, u njoftua nëpërmjet mediave se Kryeministrja May pati vendosur gjatë një takimi të Këshillit britanik të Sigurisë Kombëtare të lejojë kompaninë Huawei të ndërtojë disa nga pjesët e konsideruara jothelbësore të rrjetit britanik të teknologjisë 5G. Vendimi i saj u mor me gjithë kundërshtitë e disa shefave të shërbimeve të zbulimit, si dhe e ministrave të mbrojtjes dhe të jashtëm, Gavin Williamson dhe Jeremy Hunt, të cilët paralajmërojnë se do të ketë një ndikim serioz në marrëdhënien anglo-amerikane.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (NSA) ka paralajmëruar se nëse Britania miraton përfshirjen e kompanisë Huawei, ajo rrezikon t’i ofrojë Kinës “një armë të mbushur”. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Zërit të Amerikës se çështja pritet të ngrihet nga Presidenti Donald Trump gjatë vizitës në Britani në muajin qershor.

Australia dhe Zelanda e Re kanë vendosur të bllokojnë ose të kufizojnë rreptësisht përfshirjen e kompanisë Huawei në zhvillimin e rrjeteve të tyre 5G. Kompania mohon se kontrollohet nga qeveria kineze dhe thotë se paisjet e saj nuk mund të përdoren për qëllime spiunazhi. Ambasadori kinez në Britani, Liu Xiaoming, u shpreh dje se kompania ka një historik të mirë për sigurinë. Ai shkruan në një artikull në gazetën britanike “Sunday Telegraph” se çfarëdolloj bllokimi ndaj kompanisë Huawei do të ishte diskriminues dhe proteksionist. “Gjëja e fundit që do të priste Kina nga një Britani globale, të drejtë, dhe vërtet të hapur, do të ishte zhvillimi i lojës me rregulla që nuk janë njësoj për të gjithë”, shkruan ambasadori kinez.

Diplomati kinez i bëri thirrje Britanisë të injorojë paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara.

Vendimi i Kryeministres May është konsideruar naiv nga disa anëtarë të lartë të partisë së saj konservatore. Tom Tugendhat, kryetar i komisionit të parlamentit britanik për politikën e jashtme, ka paralajmëruar se nëse lejohet Huawei të ndërtojë ndonjë pjesë të infrastrukturës 5G, kjo do t’i “shtyjë aleatët të vënë në dyshim aftësinë tonë për të ruajtur sigurinë e të dhënave”, do të gërryejë besimin mes vendeve të grupit “Pesë Sytë”.

Zyrtarët e qeverisë britanike thonë se plani i përkohshëm e kufizon pjesëmarrjen e kompanisë Huawei vetëm tek paisjet e transmetimit, antenat në taraca dhe stacionet në terren, por se nuk do të përfshihet në infrastrukturën thelbësore, aty ku do të ruhen edhe të dhënat e klientëve dhe faturat. Disa ekspertë britanikë të sigurisë kibernetike thonë se ky kufizim do të mjaftonte për të shmangur rreziqet për sigurinë, ndërsa të tjerë thonë këto kufizime nuk garantojnë sigurinë.

Mosmarrëveshja për kompaninë Huawei po ndikon edhe tek vizita në Kinë e Sekretarit britanik të Thesarit, Philip Hammond, i cili po shpreson të zgjerojë marrëdhëniet ekonomike me Kinën, për t’i paraprirë kështu momentit të daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Duke folur në Pekin të premten, zoti Hammond lavdëroi “ambicien vërtet epike” të projektit kinez “Një brez, një rrugë”, një projekt ky masiv prej miliarda dollarësh që ndërthur tregtinë, investimet dhe programet infrastrukturore. Kjo iniciativë filloi në vitin 2015, duke synuar nxitjen e tregtisë në rrugë tokësore dhe detare mes Azisë, Afrikës dhe Evropës.

Disa vëzhgues sugjerojnë se vendimi i Kryeministres Theresa May në favor të kompanisë Huawei, duhet parë nën dritën e përpjekjeve të Britanisë për marrëveshje të reja në periudhën post-Brexit. /VOA

The post Huawei dëmton marrëdhëniet mes Britanisë dhe SHBA appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

11 themeluesit e famshëm të teknologjisë në moshën kur lançuan kompanitë e tyre të para

$
0
0

Për themeluesit e kompanive të teknologjisë u deshën disa përpjekje përpara se të startonin kompani të cilat do të linin gjurmë në industri.

Themeluesit e Tesla dhe Twitter, Elon Musk dhe Jack Dorsey, në fillim themeluan kompani të pasuksesshme përpara se të vinin me ide të cilat do të bëheshin emra të mëdhenj.

Ndërsa ka pasur prej atyre që kanë bërë miliona në të 20-tat, të tjerë si themeluesi Oracle Larry Ellison i themeluan në të 30-tat.

Ja mosha që themeluesit më të suksesshëm të teknologjisë startuan kompanitë e tyre të para:

Themeluesi i Tesla Elon Musk – 24 vjeç

Musk dhe vëllai i tij Kimbal themeluarn Zip2, një kompani e cila ofron guida qytetase për gazeta si Nju Jork Times dhe Chicago Tribune. Kompania e tyre u ble nga Compaq katër vite më vonë. Ai do të ndihmonte themelimin e disa kompanive të tjera si X.com që u shkri me PayPal, Tesla, SpaceX dhe The Boring Company.

Themeluesi i Facebook Mark Zuckerberg – 19 vjeç

Zuckerberg lançoi Facebook si “thefacebook” nga dhoma e tij e konviktit në 2004 në Universitetin e Harvardit. Ai la shkollën për tju përkushtuar plotësisht zhvillimit të rrjetit social.

Bashkëthemeluesi i Microsoft Bill Gates – 16 vjeç

Në shkollën e lartë, Gates dhe miku i tij Paul Allen lançuan një biznes të quajtur “Traf-o-Data”. Kompania automatizoi procesin e analaizimit të trafikut pë rrugët në Uashington. Kompania vijoi të operonte edhe pasi përfunduan shkollën derisa në 1975 lançuan Microsoft.

Themeluesi i Yahoo Jerry Yang – 25 vjeç

Yang u takua me bashkëthemeluesin e Yahoo David Filo në shkollës si studentë të Stanfordit në degën inxhinieri elektrike. Ata filluan të punonin në Yahoo si projekt për të ruajtur lidhjet e tyre të preferuara në internet. Në fund lançuan direktorinë online “Jerry and David’s Guide to World Wide Web” në 1994. Sajti mori 1 milionë vizita brenda vitit.

Bashkëthemeluesi i Twitter Jack Dorsey – 23 vjeç

Dorsey ka lënë shkollën dy herë. Kur ishte në Universitetin e Misurit ai hakoi uebsajtin e një kompanie quajtur Dispatch Management Services dhe gjeti dobësi sigurie. Themeluesi i kompanisë e ftoi ti bashkohej në Nju Jork dhe Dorsey nuk ngurroi. Së bashku ata lançuan një kompani të quajtur dNet në 1999. Dorsey do të krijonte Twitter vetëm gjashtë vite më vonë.

Themeluesi i Snapchat Evan Spiegel – 22 vjeç

Spiegel e hodhi idenë e Snapchat në një orë mësimi në Stanford në Prill të 2011-ës. Shokët e klasës e panë atë si ide të tmerrshme. Pak muaj më vonë Spiegel dhe Bobby Murphy dhe Reggie Brown lançuan Snapchat. Aplikacioni u quajt në fillim Picaboo dhe e ndërtuan nga shtëpia e Spiegel në Los Angeles. Ai la shkollën për tu rikthyer në 2018-ën dhe përfunduar atë.

Themeluesi i Alibaba Jack MA – 29 vjeç

Ma la punën e mësuesit të anglishtes në një universitet lokal për të lançuar një kompani të përkthimit quajtur Haibo Translation Agency. Në 1995 ai për herë të parë vizitoi SHBA dhe u has me kompjuterin e parë me internet.

Kërkimi i tij i parë online ishte “birrë” dhe gjeti se nuk kishte birrë Kineze në rezultatet e kërkimit. Atë ai mendoi themelimin e një kompanie interneti për Kinën që do të bëhej Alibaba.com.

Themeluesit e Google Larry Page dhe Sergey Brin – 25 vjeç

Themeluesi e Google u takuan në 1995 në Universitetin e Stanford. Brin ishte student i shkencave kompjuterike ndërsa Page po mendone të hynte në këtë fakultet. Të bashkë filluan të punonin në një projekt për të kataloguar çdo link në internet quajtur “BackRub.” Të dy lanë shkollën për të themeluar Google në 1998 në garazhin e CEO të YouTube Susan Wojcicki në Menlo të Kalifornisë.

Themeluesi i Oracle Larry Ellison – 32 vjeç

Allison la shkollën dy herë dhe punoi në disa punë në Kaliforni ku mësoi kompjuterin dhe programimin. Ai filloi punë në një kompani teknologjike quajtur Ampex ku do të krijonte një databazë për CIA. Ai dhe dy punonjës të tjerë Ed Oates dhe Bruce Scott u larguan nga kompania për të startuar një kompani databazash quajtur Software Development Laboratories. Shpejt siguruan një kontratë me CIA. Sistemi i menaxhimit të databazave u quajtur Oracle që mori emrin edhe kompania më pas.

Themeluesi i Apple Steve Jobs – 21 vjeç

Jobs dhe themeluesi tjetër i Apple Steve Wozniak kishin një shok të përbashkët përpara se të krijonin miqësi bashkë. Ata punuan bashkë në disa projekte teknologjike përpara se të shndërronin hobin e tyre në kompaninë Apple. Të dy punuan në garazhin e prindërve të Jobs. Komshitë shpeshherë shikonin Jobs të mbante takime jashtë garazhit në xhinse dhe këmbëzbathur.

Themeluesi i Amazon Jeff Bezos – 30 vjeç

Bezos la punën e tij në fondin D.E. Shaw për të lançuar Amazon.com që filloi si platformë për shitjen e librave. Ai udhëtoi në mbarë vendin me bashkëshorten e tij MacKenzie për të themeluar Amazon në Seattle. /PCWorld Albanian

The post 11 themeluesit e famshëm të teknologjisë në moshën kur lançuan kompanitë e tyre të para appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

A e dinit se Facebook ka mesazhe sekrete?

$
0
0

Është një prej platformave më popullor të komunikimit ku miliarda përdorues hyjnë për të komunikuar me miqtë dhe familjen. Por përveç mesazheve që vinë në postën elektronike, Facebook Messenger mund tu ketë fshehur disa mesazhe sekrete.

Facebook shpjegon se nëse nuk jeni mik me dikë dhe ju shkruan një mesazh, ai nuk do të shfaqet në postën elektronike të zakonshme e as Messenger.

Si të gjeni mesazhet sekrete?

Për të parë nëse keni ndonjë mesazh të palexuar, hapni aplikacionin Messenger dhe klikoni mbi ikonën “People” në fund.

Më pas klikoni ikonën “Add Contact “ në cepin e djathtë lart të aplikacionit dhe më pas shtypni mbi opsionin “Requests”. Mesazhet sekrete do të shfaqen si “Mesazhe të Filtruara.”

Me shumë gjasa do të çuditeni nga ajo që do të shikoni. /PCWorld Albanian

The post A e dinit se Facebook ka mesazhe sekrete? appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

Nubia prezanton telefonin e parë të lojërave me një ventilator

$
0
0

Një vit pasi Nubia prezantoi telefonin e parë të lojërave Red Magic dhe vetëm gjashtë muaj pas debutimit të Red Magic 2, kompania është rikthyer me një tjetër telefon të kësaj kategorie quajtur Red Magic 3.

Ndryshimi i madh është tek sistemi i ajrimit dhe i ftohjes i cili përveç ftohjes së lëngshme vjen me një ventilator që Nubia thotë se është i pari i llojit të tij.

Sistemet e ajrimit janë vendosur në fokus të smartfonëve të lojërave vitet e fundit. Razer Phone 2 mbinxehet gjatë përdorim intensiv ndërsa për telefonin ASUS ROG duhej të vendosnit një ventilator të jashtëm.

Red Magic 3 duhet të zgjidhë këtë problem. Specifikat e harduerit janë të ngjashme me smartfonët e tjerë të lojërave me procesor Snapdragon 855, 12GB RAM dhe 256GB memorie.

Bateri prej 5,000 mAh karikohet me një kabull 27-vat. Nga jashtë Magic 3 ka një kamër të pasme 48-megapiksel dhe një kamër frontale 16-megapiksel.

Ekrani 6.65-inç AMOLED ka rezolucion FHD+, HDR dhe frekuencë rifreskimi prej 90Hz. Po sigurisht ka edhe një portë kufjesh 3.5mm. Nubia Red Magic 3 del në shitje më 3 Maj në Kinë për 430 dollarë.

Së shpejti telefoni do të shitet në SHBA, Britani, Kanada dhe disa vende Evropiane e Aziatike. /PCWorld Albanian

The post Nubia prezanton telefonin e parë të lojërave me një ventilator appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)
Viewing all 6956 articles
Browse latest View live